Ngjarja e rëndë në Kryshec të Pejës, dëshmitarët okularë rrëfejnë se si ndodhi ngjarja në lokal pas një telefonate

By admin Sep 8, 2023

Warning: Attempt to read property "post_excerpt" on null in /home/jpdprxqzxp/philoshea.co.uk/wp-content/themes/newsair/single.php on line 84

Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Pejë, në rastin ku Janifer Gashi akuzohet për vrasjen e I.G., dëshmitarët Zekë Gashi, Lirim Gashi dhe Fetë Gashi, treguan se si shkoi i pandehuri në lokal e shtiu drejt në viktimën dhe se e gjithë ngjarja ndodhi pak kohë pas një telefonate.

Janifer Gashi akuzohet se më 28 qershor 2022, në fshatin Kryshec, Komuna e Pejës, para lokalit “Shelnja” për shkak të mosmarrëveshjeve të mëparshme në mes të pandehurit dhe tani të ndjerit I.G, me dashje e ka privuar nga jeta tani të ndjerin I.G, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Zekë Gashi, deklaroi se të pandehurin e ka kushëri, ndërsa lidhur me ditën kritike tha se ka qenë duke ardhur nga Peja 30-40 minuta para se të ndodhte rasti dhe e kishin ftuar për kafe tek lokali “Shelnja”, ku kanë qenë I.G., Feta, Denisi, Flakrimi dhe vëllai i tij.

Ai tha se para se të ndodhte rasti, ata kishin qenë duke biseduar tema private si zakonisht.

Dëshmitari tha se pasi ishte bërë një telefonatë në telefonin e Fetë Gashit, ku ky i fundit nuk ka qenë aty kur i kishte bërë telefoni, I., e kishte hapur telefonin duke i thënë “Alo a bën me u prezantu kush jeni ju”, e më pas sipas tij kishte ardhë Feta dhe ishte njoftuar se e ka një telefonatë.

Dëshmitari tha se Feta e kishte marrë telefonin dhe është larugar nga tavolina dhe ka biseduar me dikë në telefon, por se ky nuk e kishte dëgjuar bisedën dhe s’e kishte parë emrin se kush e telefonoi Fetën.

“Pas pak kohe është ardhur Janiferi me xhip, është ndalur pas shpinës time diku 2-3 metra largësi, ai doli nga xhipi dhe iu afrua I., duke i thënë a më thirre në telefon. I., i ka thënë unë nuk të thirra në telefon vetëm nëse të ka thirrë Flakrimi. Ai aty e kishte sharë I.,”, tha dëshmitari Zekë Gashi.

I njëjti shtoi se kur arma ishte nxjerrë, e ka dëgjuar kur ka repetitë dhe janë ngritur në këmbë.

Sipas tij, tani i ndjeri ia kishte kapur dy duart dhe ishte munduar të mbrohet, por pastaj e ka dëgjuar revolen kur ka krisë.

Dëshmitari tha se ishte shtënë 3-4 herë, pasi të shtënat tha se kanë qenë një nga një dhe se kur kishte shtënë me armë i pandehuri, kishte qenë një metër larg. Tha se tani i ndjeri nuk kishte bërë asgjë, pasi që nuk e ka ditur se Janiferi ishte duke ardhë.

Më pas, dëshmitari lidhur me një fjalosje që e kanë pasur i pandehuri dhe viktima para 1 viti, tha se kishin qenë duke pirë në shitoren e fshatit dhe kishte shkuar i pandehuri duke i thënë tani të ndjerit “çka po ma merr bashkëshorten nëpër gojë”, duke shtuar se ai e kishte repetit revolen, por dëshmitari e ka marrë të pandehurin dhe e kishte larguar.

Kurse, dëshmitari Lirim Gashi tregoi që kishin qenë në lokalin “Shelnja”, me të tjerët duke biseduar për therje të një kurbani e duke mbeldhur persona se kush dëshiron t’iu bashkëngjitet.

“Kur ka ardhur Janiferi me xhip, është dalur nga kerri ju ka afru ndoshta 2-3 metra I., dhe i ka thënë I., a më thirre ti. I., i tha Janiferit jo nuk të thirra unë mos të ka thirrë djali i Bashkimit, përkatësisht unë, pastaj Janiferi e ka shajt I., edhe e ka nxjerrë alltinë e ka raportirat, e ka bërë një hap pas dhe ka shti”, tha dëshmitari Lirim Gashi.

Ai tha se ka qenë pas shpinës së I., ku nuk ka mundur të kuptojë sa të shtëna janë bërë, por shtoi se kanë qenë më shumë se një.

Dëshmitari Lirim u ballafaqua me një deklaratë të dhënë në Prokurori, ku kishte thënë se motivi i mosmarrëveshjes mes tyre ishte një video, por që dëshmitari tha se tani i ndjeri i kishte thënë se nuk ka lidhje me atë video.

“E kam pyetur I., se për çfarë video është fjala, I., më është përgjigjur se as vetë nuk e di se për çfarë video është fjala”, shtoi dëshmitari.

Ndërsa, dëshmitari Fetë Gashi deklaroi se në ditën kritike ishte dalë, ku e kishte parë tani të ndjerin dhe Flakrimin tek “Shelnja” dhe iu kishte bashkuar edhe ai në tavolinë, ku ishte biseduar për një kurban.

Ai tha se kishte dalë t’i siguronte shtatë persona për kurban, ku në një lokal nuk kishte gjetur persona të interesuar për kurban dhe ishte kthyer përseri në lokalin ku ishin I., dhe Flakrimi.

Gjatë bisedës lidhur me atë temë, ai tha se ishin dakorduar që ta thërrasin edhe tani të akuzuarin Janifer që t’iu bashkohet në kurban.

Më pas, tha se në telefonin e tij kishte thirrë i pandehuri Janifer, mirëpo ai tha se telefoni ishte hapur pa prezencën e tij, ndërsa kur ishte kthyer i kishte treguar tani i ndjeri I., se e kishte një telefonatë.

“I., më tha more çelë e ki telefonin, e kam marrë telefonin e kam qit në vesh, Janifer Gashi më ka thënë kështu “thuj qatji që e ka çelë telefonin tënd, ta q*** nanen, baben edhe robt”, unë i kam thënë Janiferit o kali mos u merr me këtë punë edhe e kam mbyll telefonin”, tha dëshmitari Gashi.

Kur kishte ndodhur kjo bisedë, dëshmitari tha se ishte larguar nga tavolina e I., afërsisht 2 metra dhe pas përfundimit të bisedës ishte kthyer sërish në tavolinë.

Ai tha se nuk e kishte ditur se i pandehuri Janifer mund të shkonte në lokal dhe se kur kishte shkuar, dëshmitari thotë se ai vetë (dëshmitari) kishte qenë nën ndikimin e alkoolit.

“E ka ndalë kerrin, u zhryp prej kerrit dhe i ka thënë I., ta q*** nënën, dhe ka kërsitë alltia”, tha dëshmitari Fetë Gashi.

Tutje, ai shtoi se i pandehuri e kishte armën në dorë, ndërsa tha se ia kishte kapur dorën dhe e kishte larguar nga aty, e pasi ishte kthyer nuk e kishte parë tani të ndjerin, pasi që e kishin dërguar në spital.

“Jam shkuar tek Janiferi në shtëpi, Janiferi nuk ka folur, baba i tij me ka thënë ik prej këtu, ndërsa djali i axhës Janiferit, Sali Gashi më ka sharë dhe me ka thënë shpiun”, shtoi dëshmitari.

Më pas, seanca u ndërprit për shkak të kalimit të orarit të rregullt të punës, për të vazhduar nesër (8 shtator 2023), sipas agjendës së caktuar nga kryetari i trupit gjykues, Shaqë Curri.

Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria e Pejës më 13 mars 2023, po e ngarkon të akuzuarin Janifer Gashi, që më 28 qershor 2022, rreth orës 21:04 min, në fshatin Kryshec, Komuna e Pejës, para lokalit “Shelnja” për shkak të mosmarrëveshjeve të mëparshme në mes të pandehurit dhe tani të ndjerit I.G, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin I.G, si dhe me ç’rast me dashje i shkakton lëndim të lehtë trupor të dëmtuarit Flakrim Gashi dhe po ashtu me dashje ka rrezikuar edhe jetën e tani të dëmtuarve Zekë, Denis, Lirim dhe Fetë Gashi.

Sipas aktakuzës, pasi që i akuzuari me veturën e tij kishte shkuar në vendin e ngjarjes, tek lokali “Shelnja”, zbret nga vetura dhe nga një distancë prej afro një ose dy metrave, i drejtohet tani të ndjerit, i cili në atë moment ishte ulur në tavolinë me të dëmtuarit e tjerë, me fjalët “a më thirre ti në telefon”, dhe pas përgjigjes së tani të ndjerit “unë as nuk të thirra, as së kam numrin tënd”, i akuzuari Janifer nga brezi nxjerrë pistoletën, bën dy- tre hapa mbas dhe nga një distancë prej dy-tre metrave shtie pesë herë në drejtim të tani të ndjerit I. dhe të dëmtuarve, duke e goditur tani të ndjerin I. me katër predha në pjesën e abdomenit, e të cilat lëndime kanë qenë të rrezikshme për jetën e tani të ndjerit, e ku ky i fundit pas lëndimeve vdes në QKUK më 5 korrik 2022.

Sipas aktakuzës, thuhet se me këtë ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë” nga neni 173, pika 1.5 të KPRK-së.

Në dispozitivin e dytë, i akuzuari Gashi ngarkohet se sipas përshkrimit të ngjarjes së lartcekur, me dashje i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Flakrim Gashi, ku pas goditjeve të cilat pësoi tani i ndjeri I.G, po ashtu me një predhë godet të dëmtuarin Flakrim Gashin, në regjionin e kërcirit të djathtë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore si dhe duke i rrezikuar edhe jetën e të dëmtuarve të tjerë.

Sipas aktakuzës, për këtë thuhet se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 185, par.2 lidhur me par.1, pika 1.1 të KPRK-së.

Gjithashtu në dispozitivin e tretë, i akuzuari Gashi, ngarkohet se në mënyrë të paautorizuar dhe në kundërshtim me Ligjin mbi armë, ka mbajtur në pronësi dhe kontroll një pistoletë së bashku me një karikator dhe shtatë fishekë, me të cilën armë ditën kritike kishte shtënë pesë herë në drejtim të tani të ndjerit I.G.

Me këtë rast, thuhet i njëjti ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi/

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

By admin

Related Post